Nga Oriada Dajko
Më 3 shtator, në ambientet e Galerisë së Arteve në Ferizaj, u prezantua ekspozita dokumentare “Teatri Ilegal” e artistit dhe regjisorit Sovran Nrecaj. Përmes rrëfimeve të tre aktorëve, ekspozita paraqet një copëz të historisë së Kosovës dhe të rezistencës së viteve ’90. Dokumentari është i ndarë në tri pjesë të shkurtra dhe është vendosur brenda tri tendave që sipas kuratores, Blerta Hoçia, mund të duken si disa skena eksperimentale të teatrit bashkëkohor, por edhe si hapësira të improvizuara ngjashëm me ato në të cilat aktorë e regjisorë punuan në atë kohë, sikurse me hapesirat e improvizura të kampeve të refugjatëve të luftës.
Në fillim të viteve nëntëdhjetë, teatri i Ferizajt mbylli dyert, ashtu si shumë teatro të tjerë. Ndërsa teatri Dodona në Prishtinë ishte i vetmi institucion që ofronte shfaqje ligjore, por ato ishin të kufizuara në komedi dhe shfaqje për fëmijë, larg çdo përmbajtjeje politike.
Në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme, aktorë dhe regjisorë dhanë shfaqje në hapësira të papërshtatshme, herë në shtëpi private, herë në qendra të kulturës së fshatrave ose në kisha deri në vitin 1998, kur filloi lufta. Në ekspozitën dokumentar, aktorët Nexhat Xhokli, Dashuri Rexhepi, dhe Arben Marevci rrëfejnë për përvojat e tyre gjatë asaj periudhe, përfshirë rrezikun e arrestimeve dhe mbështetjen e komunitetit lokal.
Ekspozita u pasua me një panel diskutimi rreth teatrit dhe luftës, me moderatore Blerta Begishollin dhe panelistët: aktorët Nexhat Xhokli, Rebeka Qena, Shkumbin Istrefi, dhe Sovran Nrecajn, autorin e ekspozitës.
Sipas Rebeka Qenës për teatrin ilegal nuk është folur mjaftueshëm; rezistenca e një populli shikohet edhe përmes artit. “Në ato kohë, biletat janë shitur dhe stërshitur; bliheshin në fillim dhe shiteshin më shtrenjtë. Teatri kishte një lloj magjie që i ndihmonte njerëzit të harronin se ku janë,”-shprehet Qena.
Aktori Nexhat Xhokli rrëfeu për pasionin që i udhëhiqte artistët të vinin në shfaqje në kohë rreziku, por edhe për mbështjen nga njerëzit: “Ne atëherë i bënim shfaqjet për duartrokitje. Ne kishim një farë mbrojtjeje nga banorët; ishte organizuar roja dhe fshatarët na mbronin prej milicëve. Na vinte lajmi vesh më vesh: ndërpriteni se erdhën.”
Shkumbini Istrefi pranon se aktorët nuk kanë qenë të vetëdijshëm për misionin që kishin në atë kohë: ” Sot historianët mund ta analizojnë më mirë, por në atë kohë, ne e bëmë vetëm nga dashuria për artin. Njeriu ka nevojë të jetojë, të përshtatet. Ne kemi qenë shumë të rinj dhe kur je shumë i ri, nuk i merr parasysh rreziqet.”
Rreziku ishte kudo i pranishëm për teatrin, është fakt që artistët kanë humbur edhe jetën në ato kohë, siç është rasti i Adriana Abdullahut, emrin e së cilës sot e mban teatri i qytetit të Ferizajt. Adriana Abdullahu u vra më 22 mars 1999, vetëm 23 vjeç, duke festuar me artistë të tjerë suksesin e një shfaqjeje teatrale.
I pranishëm në sallë, dramaturgu dhe regjisori, Fadil Hysa konfirmon që shfaqjet ilegale në vitet ’90 kanë qenë vazhdimësi e një rezistence tridhjetëvjeçare.
“Në vitet ’70 janë bërë shfaqje që kanë emancipuar popullin. Ne kemi gjetur një mënyrë për të ikur censurës së asaj kohe. Kemi krijuar një lloj gjuhe, metagjuhe teatrale që publiku kishte mundësi ta kuptonte. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që publiku të mos i kuptojë shfaqjet në vitet ’70, ’80, ’90. Për shembull, shfaqja “Duke pritur Godonë” është lexuar si një lloj rebelimi ndaj realitetit të asaj kohe. Te ne nuk ka qenë Godoja që nuk i ecte koha; te ne koha ecte shumë shpejt drejt një apokalipsi. Ne i kemi folur popullit për luftën që kanosej të na afrohej. Teatri nuk ekziston jashtë realitetit të atyre që vijnë për të parë një shfaqje në teatër. Arsyeja pse ka shfaqje të mira në Kosovë është se artistët e kanë kuptuar se çfarë është teatri, misioni i tij.”
Shkumbini Isrefi shpreh dhe shqetësimin për mosnjohjen e kësaj pjesë të historisë nga brezat e rinj: “Unë jap mësim në Fakultetin e Arteve; më shqetëson dhe më mungon dokumentimi i kësaj periudhe. Në fakultet, në historinë e dramës dhe teatrit, kjo periudhë ende nuk mësohet. Ende historia e dramës kombëtare përfundon te Andon Zako Çajupi me komedinë “14 vjeç dhëndër”.”
Në përmbyllje, autori i ekspozitës, Sovran Nrecaj, thekson rëndësinë e dokumentimit të këtyre historive përmes filmave dokumentarë ose fiction, si një mision për të mbajtur gjallë narrativat që po mungojnë në shoqërinë e sotme.