Apply
PROGRAM

Lufta e Katërt Botërore- Performanca e artistëve në rrugët e Ferizajt

Nga: Oriada Dajko

Lufta e Katërt Botërore- Performanca e artistëve në rrugët e Ferizajt

Që prej ditës së parë të edicionit të pesëdhjetë e katërt të Festivalit të Teatrove, disa artistë të rinj nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë punuar me përkushtim për një performancë në rrugë të titulluar “World War IV,” që do të prezantohet për qytetarët e Ferizajt në ditët e fundit të festivalit. Kjo performancë, e udhëhequr nga regjisori i njohur Gjorgji Rizeski, eksploron jetën e njerëzve në një botë të përhershme konflikti, ku lufta prek çdo individ dhe secili gjendet në një gjendje të vazhdueshme pasigurie dhe cenueshmërie.

Gjorgji Rizeski, regjisor dhe dramaturg nga Shkupi, ka realizuar mbi 30 shfaqje dhe ka marrë pjesë në shumë manifestime, punëtori dhe festivale teatrore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ai shprehet: “Është gjithmonë shumë interesante dhe një kënaqësi të punosh me njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme. Në performancën e së premtes do të dëgjohen 6-7 gjuhë të ndryshme, duke përfaqësuar njerëz që vijnë nga vende dhe kultura të ndryshme për të njëjtën kauzë dhe qëllim: të parandalojnë Luftën e Katërt Botërore.” Rizeski shton: “Është interesante që po punojmë jo vetëm për një performancë, por gjithashtu po mbajmë edhe një punëtori, duke ndërthurur të dyja proceset në një mënyrë unike.”

Eksperiencat e Aktorëve të Rinj

Ideal Ndrecaj dhe Ardit Zharku, studentë të aktrimit në Akademinë e Arteve në Shkup dhe Prishtinë, e shohin këtë punëtori si një mundësi të shkëlqyer për shkëmbimin e përvojave midis dy vendeve fqinje, duke vënë në pah ngjashmëritë dhe diferencat e tyre.

Berina Vile, e cila ka studiuar gjermanistikë, tregon se ka pasur një pasion për artet që në fëmijëri, por dashuria për aktrimin i është zgjuar vetëm kohët e fundit. “Në Kosovë mungojnë klasat dhe workshopet e aktrimit,” shprehet ajo. “Kur mësova që do të mbahej një workshop i tillë, mezi prisja të merrja pjesë dhe të provoja veten. Mendoj që po pëlqen më shumë procesi krijues sesa vetë realizimi i performancës finale. Kam mësuar shumë për mënyrën se si formohet një karakter, që nga hapi i parë.”

Ndikimi Personal dhe Profesional

Alban Goranci, aktor me përvojë në projekte teatrore, filmike dhe sitcome, është frymëzuar nga tema dhe koncepti regjizorial i Gjorgji Rizeskit. Ai shpjegon se secili personazh në këtë performancë ka një fat të ndryshëm. Roli i tij është një njeri që lundron në një varkë, duke kërkuar lirinë në një ishull të izoluar në Detin Verior. Përgjatë historisë së ishullit kanë ndodhur shumë luftëra, por në luftën e fundit, teknologjia ka luajtur një rol të rëndësishëm. Karakteri i tij goditet nga një valë magnetike, dhe në atë moment trupi i tij transformohet.

Alban përmend gjithashtu frymëzimin e tij personal: “Për këtë personazh, jam frymëzuar nga lufta e fundit në Kosovë, kur isha vetëm katër vjeç e gjysmë në momentin që u shpërngulëm për të shkuar në Shqipëri. Situata ishte e tillë që, në sytë e një fëmije, duket sikur vendi im ishte një ishull i pambrojtur. Kam provuar të rikthehem në të kaluarën time për ta sjellë atë ndjesi në interpretimin tim.”

Eksplorimi i pasojave të luftës përmes teatrit të rrugës

Vanesa Trimcevka nga Shkupi e shikon këtë workshop si një mundësi të shkëlqyer për të bashkëpunuar me aktorë të tjerë nga Kosova. “Më pëlqen tema dhe fakti që një performancë në rrugë do të paraqitet në një festival me traditë 54-vjeçare. Gjithmonë më kanë tërhequr aktivitetet risore dhe të pazakonta, të cilat janë përtej përvojave të zakonshme universitare.”

Vanesa tregon se ka zgjedhur të luajë një grua që humb bashkëshortin, vajzën dhe shtëpinë e saj, duke reflektuar mbi ndikimin e luftës në familjet e ushtarëve.

Performancat në rrugë, a janë vërtet një risi?

Performancat në rrugë, ndonëse mund të duken si një qasje alternative dhe risore, në fakt kanë origjinë më të vjetër se sa teatri tradicional i skenës. Kjo formë teatri ka evoluar gjatë kohës dhe sot ofron një mundësi të veçantë për të angazhuar audienca që ndoshta nuk do të vizitonin një teatër tradicional. Për disa artistë, performimi në rrugë shihet si një qasje më demokratike në krahasim me ambientet e teatrit, të cilat ata mund t’i shohin si të kufizuara për publikun e gjerë që synojnë të arrijnë.

Artistët e “World War IV” presin të përcjellin emocione dhe mesazhe të forta te qytetarët e Ferizajt, duke i ftuar të bëhen pjesë aktive e kësaj përvoje unike dhe për të ndarë një moment të veçantë artistik në hapësira publike.

 

© 2024 Festivali i Teatrove Ferizaj. All rights reserved.