PROGRAM

“Audienca” – Teatri i Prizrenit “Bekim Fehmiu”

Nga: Oriada Dajko

“Audienca” – Teatri i Prizrenit “Bekim Fehmiu”

Në natën e dytë të edicionit të pesëdhjetë e katërt të festivalit, Teatri i Prizrenit “Bekim Fehmiu” prezantoi shfaqjen “Audienca,” një produksion i vitit 2024. Shfaqja u vendos në një nga ambientet e Galerisë së Arteve të qytetit të Ferizaj, ku regjisori Bashkim Ramadani kishte në dispozicion një skenë të vogël, gjë që i dha më shumë rëndësi interpretimit të dy aktorëve Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi.

Konteksti historik dhe artistik i dramës

“Audienca” është një nga veprat më të njohura të Václav Havelit, dhe është pjesë e parë e “Trilogjisë Vaněk”. Václav Havel, dramaturg çek, si dhe president i Çekosllovakisë dhe Republikës Çeke, njihet për qëndrimin kritik ndaj regjimit komunist në Çekosllovaki. Shkruar në vitin 1975, “Audienca” zhvillohet në mjediset e një fabrike birre, ambient që Haveli e njihte nga afër sepse ai ishte dënuar të “riedukohej” për shkrimet e tij dhe të mësonte se si ishte “një ditë e vërtetë pune” në fabrikë.

Duke qenë se veprat e Havelit ishin të ndaluara, “Audienca” nuk u shfaq në asnjë teatër gjatë regjimit komunist, por u luajt fshehurazi, nëpër dhomat e shtëpive në vend të skenave të mëdha. Asaj kohe, një pjesë e popullsisë çeke dinte përmendësh fragmente nga vepra, pavarësisht faktit që çdo botim i Havelit ishte i ndaluar që prej vitit 1968. Në një ese të vitit 1985, Haveli pranoi se e kishte shkruar “Audiencën” për të argëtuar miqtë e tij dhe se ishte i befasuar nga popullariteti i saj.

Në këtë dramë, Ferdinand Vaněk (portretizuar nga Alban Krasniqi) është një alter ego i Havelit, i cili, si një intelektual dhe dramaturg i përjashtuar nga jeta publike, detyrohet të punojë në një fabrikë birre. Audienca në sallë gjatë gjithë kohës ndjek me kureshtje dialogun e tij herë të zhurmshëm e banal, herë filozofik me një punëtor të fabrikës (portretizuar nga Ernest Malazogu). Ndonëse Vaněku është artist dhe intelektual, brenda ambienteve të fabrikës është punëtori, ai që ndjen epërsi ndaj tij dhe me vetëbesim e drejton bisedën duke i dhënë shpeshherë dhe këshilla mbi jetën.

Punëtori, provokues dhe i zhurmshëm, krejt e kundërta e Vaněkut, përpiqet ta shtyjë atë të thotë diçka që mund të kritikohet nga Partia Komuniste ose nga drejtuesit e fabrikës, por si përfundim del që ai ka një marrëveshje për t’i ofruar: një mundësi më të mirë pune në fabrikë në këmbim të informacioneve për aktivitetet politike të Vaněkut.

Në kuadër të luftës për rezistencë ndaj regjimeve diktatoriale, “Audienca” trajton me ironi problemet që, janë të pranishme edhe sot, si censura dhe persekutimi. Shfaqur në një skenë të vogël për një numër jo të madh spektatorësh, por me disa elemente më bashkëkohore si muzika në sfond apo ndriçimi, “Audienca” e Ramadanit risolli edhe për publikun shqiptar pakëz nga historia e kësaj vepre që dikur luhej fshehurazi si një sekret që ndahej mes një grupi të vogël njerëzish. Kjo e bën këtë shfaqje nga teatri “Bekim Fehmiu” një përvojë të veçantë për të kuptuar më mirë kontekstin dhe ndikimin e veprave të këtilla në regjimet totalitare.

Autor: Václav Havel

Regjisor: Bashkim Ramadani

Aktorë: Ernest Malazogu dhe Alban Krasniqi

Producent: Burim Mustafa

Udhëheqës Artistik: Fatos Berisha

Skenograf: Burim Arifi

Kostumografe: Agnesa Malushaj

Dizajni i dritave: Yann Perregaux

© 2024 Festivali i Teatrove Ferizaj. All rights reserved.